Zhvillimi i aftësive të të rinjve kontribuon drejtpërdrejt në përmbushjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, veçanërisht për arsim cilësor dhe punë të denjë.
Sot, në mbarë botën shënohet ‘Dita Botërore e Aftësive të Rinisë’, e shpallur nga Kombet e Bashkuara në vitin 2014, që ka për qëllim të theksojë rëndësinë e pajisjes së të rinjve me aftësi praktike dhe profesionale, për ti përgatitur për tregun e punës dhe sfidat e së ardhmes.
Shumë të rinj në mbarë botën përballen me papunësi, mungesë qasjesh në arsim cilësor ose mungesë trajnimesh praktike. Kjo ditë sjell në vëmendje këto sfida dhe kërkon veprime nga qeveritë, organizatat dhe sektorët privatë.
Shënimi i kësaj dite nuk është vetëm simbolik, por një thirrje për veprim që i kushton vëmendje një çështjeje kritike, fuqizimit të të rinjve me aftësitë që u nevojiten për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe për gjithë shoqërinë.







