Të mërkurën (11.06.25), në kampin e Njësive Speciale të Policisë së Kosovës në Vrellë, u realizua ceremonia e përurimit dhe dorëzimit të poligonit të gjuajtjes dhe të poligonit me pengesa, të cilët janë ndërtuar dhe rinovuar nga ushtarët paqeruajtës të KFOR-it, në Kosovë.
Në këtë aktivitet morën pjesë udhëheqës dhe eprorë të lartë nga Policia e Kosovës dhe nga KFOR-i, të cilët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve profesionale të njësive policore.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Kolonel Gazmend Hoxha, falënderoi KFOR-in për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar rëndësinë që kanë këto objekte, për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive të Njësive Speciale të Kosovës: “Besojmë fuqishëm se këto dy objekte do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në përgatitjen e njësive tona, duke u mundësuar atyre performancë të nivelit më të lartë. Për këtë mbështetje, patjetër që dua të falënderoj KFOR-in, të gjitha kombet e përfaqësuara në KFOR dhe në veçanti trupat Amerikane të KFOR-it, mirëpo edhe të gjithë ushtarët që kanë punuar me përkushtim, për ta bërë të mundur këtë projekt. Ju faleminderit për çdo përpjekje dhe djersë të derdhur në shërbim të Policisë së Kosovës.”
Ai gjithashtu shtoi se ky projekt është rezultat i një angazhimi të përbashkët mes KFOR-it, Njësive Speciale dhe Departamentit të Mbështetjes së Policisë së Kosovës.
Nga ana tjetër, Komandanti i KFOR-it Amerikan në Komandën Rajonale Lindje, Kolonel Helzer, deklaroi: “Kjo mbështetje përfshin ndihmën ndaj Policisë së Kosovës në zhvillimin e aftësive të saj, për të përmbushur në mënyrë efektive përgjegjësitë në ruajtjen e rendit dhe ligjit për të gjitha komunitetet. E lavdërojmë Policinë e Kosovës për përpjekjet e vazhdueshme drejt ndërtimit të një force moderne, të përgjegjshme dhe të orientuar drejt qytetarëve. Ne presim vazhdimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen.”
Në përfundim të ceremonisë, u ndanë mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në realizimin e këtij projekti, i cili përfaqëson një mbështetje të madhe për avancimin e kapaciteteve operacionale të Policisë së Kosovës.







