Për adhuruesit e librit, data e sotme 23 prilli, nuk është një ditë si gjithë të tjerat. Kjo datë është shpallur nga UNESCO si ‘Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtave të Autorit’, për të festuar fuqinë e librave në ndërtimin e urave midis kulturave, për të promovuar leximin dhe për të nderuar ata që me punën e tyre kanë ndikuar thellë në botën tonë.
Kjo datë është simbolike për letërsinë botërore. Më 23 prill 1616 humbën jetën tre kolosë të letërsisë botërore: Miguel de Cervantes, William Shakespeare dhe Inca Garcilaso de la Vega. Për këtë arsye, UNESCO në vitin 1995, e zgjodhi pikërisht këtë datë për të nderuar letërsinë, krijimtarinë dhe të drejtat e autorëve në mbarë botën.
Në shumë vende, më 23 prill organizohen panaire librash, lexime publike, takime me autorë, aktivitete nëpër shkolla dhe biblioteka. Edhe pse jetojmë në kohën e teknologjisë, libri mbetet një shok i pazëvendësueshëm. Ai të mëson të mendosh thellë, të ndjesh, të vlerësosh nuancat e gjuhës dhe të kulturave.
Prandaj, le të jetë dita e sotme një kujtesë e bukurisë së fjalës së shkruar. Sepse një shoqëri që lexon, është një shoqëri që ndihmon në emancipimin shoqëror dhe kulturor.







