Me qëllim të promovimit të barazisë gjuhësore dhe shumë gjuhësisë në OKB, sot Organizata e Kombeve të Bashkuara shënon ‘Ditën e Gjuhës Angleze dhe asaj Spanjolle’. Kjo datë simbolike lidhet me përvjetorin e vdekjes së dy prej figurave më të mëdha letrare në botë, William Shakespeare dhe Miguel de Cervantes, dy emra që lanë gjurmë të pashlyeshme në historinë e letërsisë botërore.
Gjuha angleze dhe ajo spanjolle janë ndër gjuhët më të folura në botë dhe përdoren gjerësisht në diplomaci, tregti, kulturë dhe teknologji. Në një botë gjithnjë e më të ndërlidhur, rëndësia e komunikimit të qartë dhe kuptimplotë është thelbësore për mirëkuptimin global dhe paqen ndërkombëtare.
Kombet e Bashkuara theksojnë se shumë gjuhësia është thelbësore për arritjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe për të garantuar përfshirjen e barabartë të të gjithë qytetarëve të botës, në proceset ndërkombëtare. Kjo ditë shërben si një mundësi për të festuar kulturën, letërsinë dhe historinë që mbartin gjuhët angleze dhe spanjolle.







