Policia e Kosovës ka intensifikuar angazhimet në fushën e sigurisë rrugore edhe përmes dy kampanjave të tjera vetëdijesuese, që kanë nisur nga fundi i marsit dhe fillimi i prillit, 2025. Qëllimi i këtyre fushatave është rritja e sigurisë në trafik dhe ulja e numrit të aksidenteve.
Që nga data 3 prill, ka hyrë në fuqi një masë e re për dërgimin e gjobave të trafikut përmes postës dhe platformës e-Kosova. Të gjitha kundërvajtjet që identifikohen përmes kamerave apo radarëve do t’i dërgohen drejtpërdrejt në adresë të pronarit të automjetit. Nëse pronari nuk ka qenë drejtuesi i automjetit në momentin e shkeljes, ai është i obliguar të ofrojë të dhënat e drejtuesit real, në të kundërtën rrezikon masa ligjore.
Kjo masë shoqërohet edhe me lehtësira për qytetarët, përfshirë zbritjen prej -50% në pagesën e gjobës nëse kryhet brenda afatit ligjor si dhe të drejtën e ankesës ndaj gjobës.
Ndërkohë, një tjetër kampanjë e rëndësishme që ka nisur më 25 mars, 2025, është ajo për sigurinë e motoçiklistëve. Policia apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë drejtuesit e motoçikletave, duke theksuar rëndësinë e vendosjes së helmetës, respektimit të shpejtësisë, përdorimit të sinjaleve si dhe mbajtjes së distancës dhe shmangies së këndeve të vdekura në rrugë.
Me moton “Kujdesi juaj shpëton jetë”, Policia e Kosovës inkurajon qytetarët që të respektojnë rregullat e qarkullimit në trafik dhe të kontribuojnë për një ambient më të sigurt për të gjithë.







