RADIO KFOR: Z. Fushtica, sa është i madh rreziku i zjarreve në natyrë në Kosovë, sidomos gjatë muajve të verës?
Z. FUSHTICA: Jo vetëm gjatë muajve të verës, problemi i ndezjeve të qëllimshme të zjarreve në kryeqytet, por edhe në komuna të tjera, është jashtëzakonisht i madh.
Vlen të theksohet që ende pa filluar sezona e verës, kryesisht në muajin shkurt dhe mars, kemi pasur një numër shumë të madh të zjarreve të qëllimshme nga qytetarët e pandërgjegjshëm, që në masë të madhe kanë rrezikuar jo vetëm pronën dhe hapësirën, por edhe mirëqenien e njerëzve dhe për fat të keq kemi pasur edhe humbje të jetës së njerëzve në qytete, si pasojë e zjarreve fushore dhe malore, të cilat kanë dalë nga kontrolli. Me ç’rast edhe humbjet kanë qenë të mëdha në ekonominë familjare, por edhe në ekosistem në përgjithësi.
RADIO KFOR: Cilat janë shkaqet kryesore të zjarreve në natyrë dhe sa shpesh ndodhin ato për shkak të pakujdesisë njerëzore?
Z. FUSHTICA: Rastet e zjarreve ndodhin shumë shpesh, p.sh., vetëm javën e kaluar, në territorin e kryeqytetit, ne kemi pasur mbi 36 zjarre të ndezura nga qytetarët, ku kemi pasur edhe humbjen e jetës së një njeriu, në fshatin Prapashticë. Në të gjitha këto raste, brigada profesionale e zjarrfikësve ka qenë jashtëzakonisht e ngarkuar me punë dhe angazhime përkatëse, por edhe Policia e Kosovës, duke marrë parasysh që ndezja e zjarreve është vepër penale. Ky është një problem serioz, me të cilin përballet e gjithë Kosova, me humbje shumë të mëdha, ku vetëm në territorin e Prishtinës, janë djegur afër 50 hektarë të maleve dhe fushave, që është një dëm shumë i madh jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në aspektin e shkatërrimit të florës dhe faunës.
RADIO KFOR: Si ndikon ndryshimi i klimës në rritjen e rrezikut të zjarreve në pyje dhe hapësira të hapura?
Z. FUSHTICA: Ne kemi hyrë në një cikël të pathyeshëm të ndryshimeve klimatike, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë, sepse ndryshimet klimatike, ngrohja globale ka ndikuar jashtëzakonisht shumë në ngritjen e temperaturave. Mund të themi që në dy, tre muajt e fundit të dimrit, nuk kemi pasur të reshura të zakonshme që janë në territorin tonë dhe si pasojë të gjitha malet e fushat vështirë ndizen vet, ato në të shumtën e rasteve ndizen nga vet qytetarët. Kryeqyteti në dy, tri vitet e fundit ka qenë cak i katastrofave të ndryshme natyrore, vërshimeve të mëdha që kemi pasur, erërave të forta, temperaturave ekstreme që i kem pasur gjatë verës së kaluar, të cilat në mënyrë direkte dhe indirekte ndikojnë jo vetëm në rritjen e numrit të zjarreve dhe fatkeqësive tjera, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve.
RADIO KFOR: Cilat janë zonat më të prekura në Kosovë dhe pse këto rajone janë më të rrezikuara?
Z. FUSHTICA: Sa i përket zonave të prekura, kemi pasur probleme edhe me zonat kufitare me Prishtinën, një numër të madh të vatrave të zjarrit i kemi pasur në komunën e Podujevës, të cilëve u kemi dalë në ndihmë, sepse ata kanë një numër shumë të vogël të zjarrfikësve, vetëm 12. Vlen të theksohet se Prishtina, si kryeqytet i ka nën përgjegjësi sa i përket zjarr fikjes dhe emergjencave, edhe komunën e Obiliqit, Fushë Kosovën dhe Graçanicën. Shkaku i të gjitha këtyre zjarreve, mbetet faktori njeri, pakujdesia e tyre. Qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se sa resurse njerëzore, por edhe materiale u nevojiten ekipeve emergjente që të intervenojnë dhe tu dalin në ndihmë qytetarëve. Edhe vitin e kaluar, një prej kampanjave vetëdijesuese, të projekteve që kemi pasur, ju kemi shpjeguar qytetarëve që të mos ndezin zjarre, të lajmërojnë në numrat emergjent, ku mund të raportojnë zjarret, për të minimizuar rrezikun nga fatkeqësitë. Duhet të jemi të vetëdijshëm që ndezja e zjarreve të qëllimshme, është krim.
RADIO KFOR: Çfarë masash parandaluese mund të marrin qytetarët për të zvogëluar rrezikun e zjarreve?
Z. FUSHTICA: Në dy vitet e fundit, kemi bërë një investim shumë të madh në ngritjen e kapaciteteve të brigadës profesionale të zjarrfikësve. Rishtazi janë rekrutuar 30 zjarrfikës të rinj dhe tashme numri i tyre është mbi 100, vetëm në Prishtinë. Por edhe ky është numër i vogël, për shkak se në bazë të standardeve të paracaktuara, një zjarrfikës duhet të jetë në 1.000 mijë banorë. Në gjithë territorin e Kosovës, janë mbi 800 zjarrfikës, që i bie se kemi nevojë për shumë më shumë zjarrfikës. Kemi bërë investime shumë të mëdha, edhe vitin e kaluar, por edhe këtë vit, mbi 50 % e buxhetit të drejtorisë sime shkon në ngritjen e kapaciteteve të zjarrfikësve, kemi blerë pajisje, e këtë vit do të blejmë një automjet mbi 400 mijë euro për zjarrfikës. Tani, për herë të parë do t’ju ofrohet ushqimi, gjë që më herët nuk e kanë pas të rregulluar dhe duhet thënë që zjarrfikësit kanë qenë një kategori e lënë pas dore, e ne kemi marrë një rol të liderit në kryeqytet, në investime dhe në ngritjen e kapaciteteve, ndonëse na nevojitet akoma më shumë punë në këtë aspekt.
RADIO KFOR: Si është e organizuar ndërhyrja e institucioneve për të shuar zjarret? A kemi burime dhe pajisje të mjaftueshme?
Z. FUSHTICA: Më lejoni që përmes Radio KFOR-it, të them që kryeqyteti ka qendrën operative emergjente, që punon 24/7, që është 0800 122 33 apo 0800 122 44, ku pranohen të gjitha thirrjet jo vetëm për zjarre, mirëpo për çdo problem që qytetarët e hasin në shtëpitë e tyre dhe kudo tjetër, ndonëse qytetarët po ashtu mund të thërrasin direkt në numrin e zjarrfikësve, që është 193, e pastaj ekipet tona u dalin në ndihmë qytetarëve sa më shpejt që është e mundur. Kemi një numër shumë të madh të thirrjeve, vetëm në 3 mujorin e parë, i kemi pasur afër 2.000 thirrje, raportime për raste të ndryshme në kryeqytet.
RADIO KFOR: Sa është i rëndësishëm ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe çfarë roli luajnë mediat në këtë proces?
Z. FUSHTICA: Posaçërisht në aspektin e sigurisë, të emergjencave, ndërgjegjësimi është shumë i rëndësishëm, sidomos parandalimi, marrë parasysh ngritjen e vetëdijes nga shkollat, institucionet publike dhe qytetarët në përgjithësi.
Mozaiku i konceptit të sigurisë nuk mund të jetë i plotë pa pjesëmarrjen e qytetarëve, pa pjesëmarrjen e komunitetit, të cilët përveç që japin informata, në kontekstin pozitiv, ndihmojnë në parandalim dhe identifikim të problemeve, të cilat ne pastaj duhet ti zgjidhim bashkërisht. Mediat, sipas meje, janë dorë e zgjatur e misionit tonë. Ne jemi munduar që përgjatë këtyre dy viteve, të krijomë një mekanizëm të njoftimit të hershëm në rast të ndonjë fatkeqësie.
Sipas statistikave që i posedojmë, vetëm brenda 24 orëve në kryeqytet hyjnë mbi 800 mijë banorë dhe i kemi mbi 150 mijë vetura që qarkullojnë nëpër qytet.
Ne kërkojmë që qytetarët tanë të kenë pak durim me ne, ta kuptojnë situatën tonë, ne jemi shumë të vetëdijshëm që qyteti ka trafik, për çfarë jemi duke punuar që të krijojmë një plan të mobilitetit për ngritjen e kapaciteteve. Ne jemi duke vendosur sistemin e kamerave, tashmë janë vendosur mbi 80 kamera në 35 lokacione në kryeqytet, që të kontrollohet edhe trafiku, edhe siguria publike, parandalimi i aktiviteteve të ndryshme kriminele, e kjo lidhet edhe me katastrofat natyrore.
Ngritja e trekëndëshit qytetarë-media-insitucione, që ne duhet ta promovojmë, të jetë sa më efikas dhe qytetarët në kohë reale të jenë të informuar për çdo gjë që ndodh në dhe rreth hapësirave ku jetojnë.
RADIO KFOR: A ka ligje të forta për ata që shkaktojnë zjarre të qëllimshme dhe si zbatohet ndëshkimi për ta?
Z. FUSHTICA: Janë identifikuar 8 persona që Policia është duke i ndjekur në aspektin penal dhe dënimet variojnë nga 150 deri në mijëra euro, deri në dënim me burg.
RADIO KFOR: A ka ndonjë strategji ose plan të ri për të përmirësuar parandalimin dhe menaxhimin e zjarreve në Kosovë?
Z. FUSHTICA: Për herë të parë në Kosovë, është krijuar Shoqata vullnetare Zjarrfikëse dhe e Shpëtimit, këtë javë do të kemi edhe Kuvendin themelues dhe do të ftojmë qytetarët që të jenë pjesë e saj, për të ngritur kapacitetet parandaluese dhe reaguese, në rast të fatkeqësive natyrore, jo vetëm zjarrfikëse por edhe shpëtimit, në rast të tërmeteve, vërshimeve, të kërkim shpëtimit në male, etj, me ç’rast do të krijojmë pika të reja në qytet dhe në fshatra.
Po ashtu do të vazhdojmë me kampanja më agresive vetëdijesuese, në kontekstin pozitiv, me shkolla, me nxënës, me qytetarë, në takime të ndryshme, etj.
Prishtina e ka edhe sistemin e alarmit në rast të fatkeqësive natyrore, i cili testohet dhe është funksional dhe po ashtu do të punojmë në ngritjen e resurseve brenda drejtorisë për siguri dhe emergjenca dhe përmirësimin e kushteve dhe mundësia që i ka edhe brigada profesionale.
RADIO KFOR: Çfarë mesazhi do të përcillnit për qytetarët në lidhje me mbrojtjen e natyrës nga zjarret?
Z. FUSHTICA: Lus qytetarët që të kenë kujdes, të mos ndezin zjarre, mos të shkatërrojnë natyrën, të mirat materiale, hapësirat ku jetojnë apo ekosistemin, meqë kjo është një vepër e dënueshme penale, për çfarë edhe ndiqen penalisht. Ta mbrojmë ambientin, jetën dhe hapësirat tona ku ne jetojmë.







