Sot mos bini pre e mashtrimeve, sepse çdo vit, më 1 prill, njerëzit në mbarë botën, festojnë “Ditën e Gënjeshtrave”, një traditë e njohur për shakatë dhe rrenat e bardha apo miqësore. Kjo ditë, e cila ka rrënjë të lashta historike është një mundësi për t’u argëtuar dhe për të sjellë buzëqeshje mes miqve, familjarëve dhe kolegëve.
Edhe pse origjina e saktë e kësaj feste mbetet e paqartë, disa historianë besojnë se ajo lidhet me ndryshimin e kalendarit në shekullin XVI, kur Franca kaloi nga kalendari Julian në atë Gregorian. Ata që vazhduan të festonin Vitin e Ri më 1 prill (sipas kalendarit të vjetër), u bënë objekt shakaje nga të tjerët.
Në ditët e sotme, mediat, kompanitë dhe individët krijojnë gënjeshtra kreative dhe lajme të rreme, shpesh me humor të lehtë, për të festuar këtë ditë.
Një këshillë e thjeshtë për të gjithë, sot mos besoni gjithçka që lexoni apo dëgjoni dhe mos harroni të qeshni!







