Çrregullimi bipolar është një sëmundje e shëndetit mendor që karakterizohet nga ndryshime ekstreme të humorit, duke përfshirë periudha të depresionit dhe episode të manisë ose hipomanisë. Kjo gjendje mund të ndikojë ndjeshëm në jetën e përditshme të individëve, duke e bërë të rëndësishme trajtimin e duhur dhe mbështetjen psikologjike e sociale.
Pikërisht sot, me 30 mars, shënohet ‘Dita Botërore e Çrregullimit Bipolar’, një iniciativë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të eliminojë stigmatizimin rreth kësaj gjendjeje. Kjo ditë përkon me ditëlindjen e piktorit të famshëm Vincent van Gogh, i cili thuhet se ka vuajtur nga çrregullimi bipolar.
Në Kosovë, gjithashtu, ka një nevojë të madhe për rritjen e ndërgjegjësimit mbi çrregullimet mendore dhe sigurimin e qasjes në shërbimet e duhura për ata që përballen me to. Prandaj, është e rëndësishme që të flasim hapur për këtë çështje dhe të inkurajojmë ata që kanë nevojë për ndihmë, të kërkojnë mbështetje profesionale. ‘Dita Botërore e Çrregullimit Bipolar’ na kujton se shëndeti mendor është po aq i rëndësishëm sa edhe ai fizik dhe se mbështetja e komunitetit, luan një rol kyç në mirëqenien e të prekurve nga kjo gjendje.







