Data e sotme, 18 mars, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Riciklimit”, e cila ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e riciklimit dhe promovimin e praktikave të qëndrueshme për mbrojtjen e mjedisit. “Riciklo për të ardhmen”, kjo është tema nën të cilën shënohet sivjet “Ditës Botërore të Riciklimit”, duke theksuar nevojën për veprime konkrete për të reduktuar mbetjet. Përllogaritet që çdo vit, miliona ton mbetje plastike, metalike dhe organike përfundojnë në ujëra të planetit, duke dëmtuar ekosistemet dhe biodiversitetin. Sipas Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), vetëm 9% e plastikës së prodhuar, riciklohet ndërsa, pjesa tjetër përfundon në natyrë ose digjet, duke kontribuar në ndotjen e ajrit dhe ndryshimet klimatike.
Për një planet më të pastër, duhet të kontribuojë secili banorë i Tokës, andaj sot po sjellim disa hapa që secili prej nesh mund të ndjekë për të ndihmuar në përmirësimin e proceseve të riciklimit:
- Ndani mbetjet sipas llojit – Sigurohu që plastika, letra, metali dhe mbeturinat organike të ndahen dhe të hidhen në vendet e duhura të riciklimit.
- Reduktoni përdorimin e plastikës një-përdorimëshe – Përdorni çanta, shishe dhe enë të ripërdorshme për të ulur ndotjen plastike.
- Përdorni materiale të ricikluara – Blini produkte të bëra nga materiale të ricikluara për të reduktuar kërkesën për burime të reja natyrore.
Dhe mos harroni, ndërgjegjësimi është çelës i ndryshimit. Edukimi mbi riciklimin ndihmon në rritjen e përfshirjes së komunitetit, prandaj sot, inkurajohemi të gjithë që të marrim pjesë në fushata dhe aktivitete për mbrojtjen dhe pastrimin e mjedisit.







