‘Dita Botërore e Punës Sociale’ shënohet çdo vit në të martën e tretë të muajit mars dhe nderon punën e palodhur dhe përkushtimin e punonjësve social. Shumë organizata në mbarë botën, mirëpo edhe Organizata Globale e Punonjësve Social, sot promovojnë drejtësinë sociale, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin social, duke mbështetur praktikat më të mira për punë sociale. Punonjësit social kanë shumë role në komunitetet tona, meqë janë ata të cilët vlerësojnë nevojat dhe sfidat e klientëve dhe komunitetit. Si avokatë, ata flasin për klientët e tyre, sigurojnë që ata të kenë qasje në burimet që u nevojiten për të përmirësuar jetën e tyre dhe edukojnë njerëzit se si të veprojnë në raste krizash si dhe janë ata të cilët vullnetarisht përgjigjen në situata krizash.
‘Dita Botërore e Punës Sociale’ nënvizon idenë se ne, jemi të gjithë të lidhur dhe e ardhmja jonë varet nga angazhimi i secilit individ në ndërtimin e një të ardhmeje socialisht të drejtë. Çdo person mund të bashkohet sot, për të shënuar ‘Ditën Botërore të Punës Sociale’, përfshirë punonjësit socialë, organizatat partnere dhe ata që kujdesen për të ardhmen, për të ndryshuar botën tonë për të mirë.







