Data e sotme, 27 shkurt, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Organizatave Joqeveritare”, ditë kjo që nxitë vlerësimin e punës së organizatave joqeveritare (OJQ), në mbarë botën. Kjo ditë u shpallë në vitin 2014, në një konferencë të organizuar nga UNESCO dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).
OJQ-të luajnë një rol thelbësor në zhvillimin global dhe lokal, duke kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, avokimin për liri dhe barazi për të gjithë, ndihmën humanitare, zhvillimin e qëndrueshëm, promovimin e projekteve për edukim, shëndetësi, zhvillim ekonomik, mbrojtjen e mjedisit, etj.
“Dita Botërore e OJQ-ve” është një mundësi për të reflektuar mbi ndikimin e këtyre organizatave në zhvillimin shoqëror, të drejtat e njeriut dhe ndihmën humanitare. Në këtë ditë inkurajohemi të gjithë që të kontribuojmë në kauza të ndryshme, qoftë duke u bërë vullnetar i ndonjë organizate joqeveritare apo duke i mbështetur dhe ndihmuar ato.







