Dashamirët e kulturës në Kosovë, tani kanë një mjet të ri për të qëndruar të lidhur me ngjarjet kulturore në vend. “Kultura App” është aplikacioni i parë i këtij lloji në Kosovë, i cili synon të shërbejë si pikëtakim virtual, për ata që duan të informohen dhe të marrin pjesë në aktivitete kulturore. Ky projekt është realizuar me mbështetjen e Komunës së Prishtinës dhe sjell një zgjidhje gjithëpërfshirëse për përdoruesit. Me një dizajn modern dhe funksionalitete praktike, aplikacioni ofron informacione për ngjarje, lajme dhe mundësi për promovimin e aktiviteteve kulturore nga vetë përdoruesit.
Udhëheqësi i këtij projekti, z. Salih Mehmeti, ka theksuar rëndësinë e këtij aplikacioni për jetën kulturore në vend: “Me mbështetjen e Komunës, kemi arritur të krijojmë një platformë që promovon jo vetëm kulturën, por edhe ndihmon në bashkimin e komunitetit artistik”, ka thënë ai.
Ndërsa ideatorja dhe menaxherja e projektit, znj. Alberina Haxhijaj, ka deklaruar se “Kultura App”, është një shembull i përkushtimit të institucioneve lokale për të mbështetur inovacionin dhe kreativitetin. Ajo falënderoi ekipin e përfshirë në realizimin e projektit, duke përmendur në veçanti programerët dhe dizajnerët. “Kultura App” është tashmë i qasshëm për shkarkim falas, në platformën App Store për përdoruesit e iOS.







