Edhe këtë javë, në botën e teknologjisë janë zhvilluar një sërë ngjarjesh që po tërheqin vëmendjen e mbarë globit dhe në vijim ju njohim me aplikacionin që po e zëvendëson Instagramin. BeReal quhet rrjeti i ri social, i cili po fiton popullaritet, duke tërhequr përdorues të rinj që preferojnë ndarjen e momenteve pa filtra dhe pa presionin e pëlqimeve, diçka që është ‘njësi matëse’ e popullaritetit në Instagram. Duke parë rritjen e vazhdueshme të BeReal, këtë javë pati edhe super-tituj, që i njëjti së shpejti do të bëhet aplikacionin me më së shumti përdorues. Të reja këtë javë kemi edhe nga TikTok-u. Platforma ka njoftuar se po integrohet me Spotify dhe Apple Music dhe nga tani u lejon përdoruesve ndarjen e këngëve të preferuara edhe përmes mesazheve direkte.
Nga çështja e sigurisë këtë javë kemi veçuar paralajmërimin e FBI-së. Kjo agjenci njoftoi për sulme të mundshme të reja kibernetike në Gmail, Yahoo dhe Outlook, duke thënë se kriminelët kibernetikë tani mund të hyjnë në llogaritë e postës elektronike edhe kur ato mbrohen nga vërtetimi me shumë faktorë. Ndërkohë Google menjëherë ka njoftuar se është duke e luftuar këtë krim kibernetikë.
Zhvillimi teknologjik shumë shpesh na sjell edhe inovacione që na duken pothuajse të pamundura. Linja ajrore e Katarit ka bërë një arritje të rëndësishme kohët e fundit, duke prezantuar aeroplanin Boeing 777, të parin në botë të pajisur me internet të shpejtë nga Starlink. Kjo do t’u mundësojë pasagjerëve internet falas dhe të shpejt gjatë fluturimit. Shërbimi që filloi në fluturimin e linjës Doha – Londër, përgjatë vitit 2025, tani do të jetë në shërbim të të gjithë aeroplanëve Boeing të Katarit, e kështu ka njoftuar vet kompania ajrore, ‘Qatar Airways’.







