Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), mbi 460 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me diabet, një numër që po rritet vazhdimisht. Për të rritur ndërgjegjësimin për këtë sëmundje dhe për të inkurajuar përpjekjet globale në parandalimin dhe trajtimin e saj, çdo vit, më 14 nëntor, shënohet ‘Dita Botërore e Diabetit’. Kjo ditë ka për qëllim të informojë publikun për ndikimin e diabetit në shëndetin e individëve dhe shoqërisë dhe të promovojë masa parandaluese dhe trajtuese.
Diabeti është një sëmundje kronike që ndodhë kur trupi nuk mund të prodhojë mjaftueshëm insulinë ose nuk e përdor atë siç duhet. Insulina është një hormon që ndihmon në kontrollin e niveleve të sheqerit në gjak. Pa një menaxhim të duhur, nivelet e larta të sheqerit në gjak mund të shkaktojnë komplikime serioze, siç janë problemet me zemrën, veshkat, nervat dhe sytë.
Ekzistojnë dy lloje kryesore të diabetit:
Diabeti i Tipit 1: Ky është një lloj diabeti autoimun, kur sistemi imunitar i trupit shkatërron qelizat që prodhojnë insulinë në pankreas.
Diabeti i Tipit 2: Ky është lloji më i zakonshëm i diabetit dhe shpesh lidhet me faktorë të tjerë si mosha, mbipesha, mungesa e aktivitetit fizik dhe dieta e pasur me sheqerna dhe yndyra.







