Nga data e nesërme, 15 nëntor, të gjitha mjetet motorike, që marrin pjesë në trafikun rrugor, duhet t’i kenë pajisjet dimërore. Sipas ligjit për rregullat e trafikut rrugor të Kosovës, gjatë sezonit dimëror, nga 15 nëntori e deri më 15 mars, automjetet dhe bashkësitë e mjeteve që marrin pjesë në trafikun rrugor, duhet t’i kenë pajisjet dimërore.
Ligji për rregullat e trafikut rrugor parasheh dënime për shoferët që gjatë dimrit ngasin automjetet e tyre pa pajisje dimërore. Po ashtu, i njëjti ligj saktëson se gjatë kushteve dimërore ndalohet qarkullimi i automjeteve dhe i bashkësisë së mjeteve të cilat nuk i kanë të vendosura pajisjet dimërore. Shoferi që drejton automjetin pa pajisje dimërore, do të dënohet për kundërvajtje me gjobë monetare.







