Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar 25 nëntorin, si “Ditë Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”, për të rritur ndërgjegjësimin për eliminimin e të gjitha formave të dhunës ndaj grave. Data e sotme shënon edhe fillimin e fushatës 16-ditore, e njohur ndryshe edhe si “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” dhe përfundon në 10 dhjetor, në ‘Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut’.
Sot, në shumë vende të botës realizohen aktivitete të ndryshme, si: takime, protesta, fushata ndërgjegjësuese dhe aktivitete edukative për të luftuar dhunën fizike, psikologjike dhe seksuale.
Qëllimi kryesor i “Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave”, është të nxisë ndryshime kulturore dhe ligjore që i japin fund abuzimit të grave si dhe të kontribuojë në një shoqëri më të drejtë dhe më të sigurt për të gjithë.







