“Njerëzit e mençur flasin sepse kanë diçka për të thënë; budallenjtë flasin sepse duhet të thonë diçka”, kjo është njëra nga thëniet e bukura të filozofit të lashtë grek, Platonit, i cili ishte student i Sokratit dhe mësues i Aristotelit. Pikërisht sot, shënohet ‘Dita Botërore e Filozofisë’, e cila çdo vit shënohet në të enjten e tretë të muajit nëntor dhe promovon filozofinë si një disiplinë esenciale për të kuptuar botën dhe për të nxitur mendimin kritik. Kjo ditë u shpall zyrtare nga UNESCO në vitin 2005, për të inkurajuar zhvillimin e filozofisë dhe për të theksuar rëndësinë e saj në shoqërinë moderne.
Qëllimi i ‘Ditës Botërore të Filozofisë’ është të nxjerrë në pah rolin e filozofisë në promovimin e dialogut kulturor, në nxitjen e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore si dhe në zhvillimin e një mendësie kritike dhe reflektuese tek individët. Aktivitetet e kësaj dite përfshijnë diskutime, simpoziume, leksione dhe ekspozita në universitete e institucione kulturore. Një tjetër aspekt i rëndësishëm i kësaj dite është përfshirja e filozofisë në edukim, për të ndihmuar nxënësit dhe studentët të zhvillojnë aftësi analizuese dhe kritike, të kuptojnë mendimet e ndryshme filozofike dhe të aplikojnë këto koncepte në jetën e tyre të përditshme.
‘Dita Botërore e Filozofisë’, është një mundësi për të reflektuar mbi rëndësinë e mendimit filozofik dhe për të inkurajuar njerëzit të mendojnë në mënyrë kritike mbi jetën, shoqërinë dhe botën në përgjithësi.







