Policia e Kosovës tash e 25 vite me përkushtim dhe seriozitet të plotë, po i kryen detyrat duke ofruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.
Me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Policisë, janë organizuar një sërë aktivitetesh dhe do të vazhdojnë të organizohen edhe sot me 6 shtator. Pjesë e këtyre aktiviteteve ishin ndeshja e futbollit në mes të pjesëtarëve të rinj të Policisë së Kosovës dhe klubit futbollistik U-17, pastaj prezantimi i njësisë speciale të Policisë së Kosovës. Po ashtu, Policia ka organizuar edhe një paradë të policëve me fëmijët e tyre, në sheshin kryesorë në Prishtinë.
Sot, aktivitetet kanë filluar nga ora 08:00 dhe përfshijnë ‘Portën e Hapur’, ku të interesuarit kanë mundësi të vizitojnë drejtoritë rajonale të Policisë së Kosovës. Gjithashtu sot, nga ora 11:00 do të organizohet edhe ceremonia qendrore, në Hotel Emerald, në Prishtinë.
Ishte data 6 shtator e vitit 1999, kur u hap Shkolla e parë e Policisë dhe aty filloi trajnimi i kandidatëve për pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Gjenerata e parë e kandidatëve, numëroi 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në gjithë Kosovën.
Policia e Kosovës me shumë përkushtim edhe në këtë 25 vjetor, zbaton ligjet e Kosovës në mënyrë profesionale, efektive dhe efikase duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjithë pa dallim përkatësie etnike, religjioni, gjinie dhe moshe.







