“Edukimi është çelësi për të hapur derën e arritjeve të mëdha”, thotë njëra prej qindra e mijëra thënieve dedikuar arsimimit. E bashkë me shtatorin, fillon edhe viti i ri shkollor dhe ky fillim është një moment i rëndësishëm për çdo fëmijë. Për shumë nxënës, kjo përvojë shënon hapin e parë drejt një udhëtimi të gjatë në arsim dhe zhvillim personal. Viti shkollor, është një kohë e mbushur me emocione, nxënie të njohurive të reja e natyrisht edhe e sfidave. Mësuesit e të gjitha niveleve, luajnë një rol kyç në mësimdhënie, ndërsa kanë rol thelbësor në jetën e më të vegjëlve, atyre që këtë shtator, po ulen për herë të parë në bankat shkollore. Nga ndihma që fëmijët të përshtaten me ambientin e ri, tek njohja me shokët e klasës, e deri tek krijimi i shprehive të mësimit, janë sfidat e mësuesve klasorë, ata që mirëpresin fëmijët e klasës së parë. Prandaj, me fillimin e procesin mësimor, rikujtojmë që është e rëndësishme që prindërit dhe mësuesit, së bashku edhe me rrethin shoqëror e familjar, të inkurajojnë dhe ndihmojnë të gjithë nxënësit në rrugëtimin e tyre të nxënies, marrjes së njohurve të reja dhe arritjeve të tyre, në fushën ku ata shkëlqejnë.
Të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve Radio KFOR-i ua uron fillimin e vitit të ri shkollor, duke ju uruar shëndet e suksese!







