Dhuna në familje është një çështje serioze që ndodh në forma të ndryshme e që përfshinë dhunën fizike, manipulimin emocional, kontrollin financiar dhe izolimin. Policia e Kosovës dhe institucione të ndryshme Qeveritare dhe Joqeveritare, realizojnë fushata të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve karshi dhunës në familje. Pikërisht për këtë fakt, Policia e Kosovës në vazhdën e fushatave vetëdijesuake që ofrojnë, kanë realizuar edhe fushatën “Familja është vendi ku duhet të ndiheni të sigurt, jo të frikësoheni!”.
Përmes kësaj fushate, janë dhënë edhe informata të detajuara se çfarë mund të bëjë Policia e Kosovës në raste të tilla, si: T’i përgjigjet thirrjes suaj sa më shpejt, të parandalojë dhunën, të ofrojë siguri për juve dhe anëtarët e tjerë të familjes, të ofrojë mbrojtje ligjore, të ofrojë ndihmë mjekësore, të ofrojë strehim në strehimore, të trajtojë rastin në bashkëpunim me Qendrën për Punë Sociale si dhe të hetojë rastin në koordinim me Prokurorinë.
Më tutje theksohet: Ju (viktima) keni të drejtë, si: Të jeni të lumtur, të jetoni të lirë nga frika, të raportoni dhunën në familje në stacionin më të afërt policor, të trajtoheni me dinjitet, të keni ndihmë ligjore falas, t’ju ofrohet mbrojtje e menjëhershme, të kërkoni strehim në Qendrën për Viktimat e Dhunës si dhe të kërkoni kompensim për dënimin që ju është shkaktuar.
Dhuna në familje është një çështje kritike që prek shumë jetë dhe të kuptuarit e saj është hapi i parë drejt ofrimit të mbështetjes dhe kërkimit të zgjidhjeve efektive.
Për qasje dhe informata të shpejta shkarko aplikacionin digjital ‘Lajmëro Policinë’.







