Muaji gusht njihet për temperatura të larta në vendin tonë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, vazhdimisht ofron këshilla të dobishme për të ndihmuar njerëzit të qëndrojnë të sigurt dhe të shëndetshëm gjatë vapës.
Në lidhje me kujdesin ndaj shëndetit gjatë këtyre ditëve të nxehta, Radio KFOR-i kontaktoi Dr. Faik Hotin, Specialist i Shëndetësisë Publike në IKSHPK, i cili mes tjerash nënvizoi: “Vala e re e të nxehtit që tashmë është e pranishme në vend, mund të ndikojë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e të gjithëve, sidomos të grupeve të cenueshme.”
Për këtë arsye, IKSHPK rekomandon që të gjithë të ndjekin këshilla praktike për t’u mbrojtur nga nxehtësia, si p.sh.:
- Të shmangin daljen për të kryer aktivitete kur kjo është e mundur, sidomos gjatë intervalit 10:00-17:00 h;
- Të qëndrojnë në hije sa më shumë që ka mundësi;
- Ta mbajnë trupin e hidratuar duke konsumuar sa më shumë ujë (1 gotë ujë në orë ose 2-3 litra në ditë);
- Të përdorin veshje të lirshme, kryesisht nga pambuku dhe me ngjyra të çelura;
- Të rritet kujdesi ndaj foshnjave dhe fëmijëve, duke mos i ekspozuar ata pa nevojë në temperature të larta dhe
- Të kontaktohen rregullisht të moshuarit apo personat me sëmundje kronike që jetojnë vetëm, për të kontrolluar gjendjen e tyre.
Për çdo ankesë apo vështirësi si pasojë e temperaturave të larta dhe nxehtësisë, qytetarët mund të kërkojnë ndihmë te shërbimi më i afërt mjekësor dhe të thërrasin numrin e urgjencës 194.







