Një nga kënaqësitë më të këndshme, është përqafimi i fëmijëve tanë. Prandaj dita e sotme, 15 korriku në gjithë botën shënon ‘Ditën e përqafimit të fëmijëve tuaj’. Kjo ditë, për herë të parë u shënua në vitin 2008, kur një nënë amerikane e cila humbi djalin e saj nga kanceri, bëri thirrje globale për të kaluar sa më shumë kohë me fëmijët dhe për t’i përqafuar ata sa më shumë.
Përqafimi është ndoshta po aq i lashtë sa vetë njerëzimi. Praktikohet nga pothuajse të gjitha kulturat si një akt dashurie dhe ndjeshmërie pa përdorur fjalë. Njerëzit përqafohen për të përcjellë një mori mesazhesh, disa prej të cilave përfshijnë një përshëndetje apo lamtumirën, për të shprehur simpatinë ose për të uruar dhe për të përcjellë mirënjohje, mbështetje dhe dashuri.
Rëndësia e përqafimit të fëmijëve tuaj është shumë e madhe sepse sipas një hulumtimi, fëmijët që përqafoheshin më shpesh në vitet e para të jetës së tyre kanë kujtesë më të mirë dhe janë më të lumtur gjatë jetës.







