Data 3 korrik e çdo viti, i është ndarë shënimit të “Ditës Ndërkombëtare pa Qese Plastike”, ditë kjo në të cilën bëhen thirrje për një planet më të pastër.
“Dita ndërkombëtare pa Qese të Plastikës” është një iniciativë globale që synon të rrisë ndërgjegjësimin për ndikimin e dëmshëm të qeseve plastike në mjedis dhe të inkurajojë njerëzit të përdorin alternativa më të qëndrueshme. Kjo ditë filloi si një iniciativë lokale në Spanjë, në vitin 2009, por shpejt u bë një lëvizje globale. Edukimi dhe rritja e vetëdijes së njerëzve që të reduktojnë përdorimin e qeseve të plastikës, është edhe qëllimi kryesor i shënimit të “Ditës Ndërkombëtare pa Qese të Plastikës”. Qeset plastike njëpërdorimshme janë ndër ndotësit më të mëdhenj të mjedisit. Çdo vit, miliarda qese plastike përdoren dhe shpesh përfundojnë në deponi, lumenj dhe oqeane. Ato mund të marrin qindra vjet për tu degraduar dhe gjatë kësaj kohe, mund të shkaktojnë dëme të mëdha në jetën detare dhe në ekosistemet tokësore.
Në këtë ditë bëhet thirrje për zgjedhje alternative, e një nga to është përdorimi i qeseve të ri-përdorshme prej pëlhure, pambuku ose materiale të tjera të qëndrueshme. Këto qese jo vetëm që janë më të forta dhe më të qëndrueshme, por gjithashtu reduktojnë ndjeshëm mbetjet plastike.







