Turizmi në Kosovë, është një sektor që ofron një kombinim të pasur të historisë, kulturës, natyrës dhe mikpritjes. Stina e ngrohtë është koha ideale për të eksploruar disa prej destinacioneve të cilat ua sjell Radio KFOR-i sot: E fillojmë me kryeqytetin, që është vendtakim i shumë ngjarjeve kulturore gjatë verës, e krahas kësaj, Prishtina është qytet i shumë pikave turistike. Muzeu Kombëtar i Kosovës që ndodhet pikërisht në kryeqytet, është strehim i artefakteve që pasqyrojnë historinë dhe kulturën e vendit. Një pikë tjetër që duhet vizituar është edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës e cila mbi të gjitha është një ndërtesë e veçantë, me arkitekturë unike.
Në destinacionet turistike të Kosovës, patjetër që kemi Shpellën e Kusarit. Sipas gjetjeve arkeologjike, kjo shpellë është ndër vendbanimet më të hershme të zonës së Gjakovës dhe ndodhet në një terren malor të Maleve të Pashtrikut.
Burimi i Drinit të Bardhë është një nga ujëvarat më të bukura të Kosovës, e cila përveç që është atraksion turistik, furnizon qytetin e Pejës me ujë të pijes.
Kalaja e Prizrenit është një destinacion tjetër turistik dhe monumenti më i njohur i trashëgimisë kulturore dhe simboli i qytetit të Prizrenit. Kalaja është ndërtuar në një kodër të lartë nga e cila shihet i gjithë qyteti i Prizrenit, si në pëllëmbë të dorës.
Në komunën e Malishevës, ndodhet Ujëvara e Mirushes, e njohur edhe si Parku Regjional i Natyrës. Kjo zonë karakterizohet me një numër të madh të liqeneve me forma dhe madhësi të ndryshme, duke përfshirë 16 liqene dhe 12 ujëvara.
Ulpiana, e themeluar në fillim të shekullit II nga perandori Trajan, konsiderohet të jetë një nga vendet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe një tjetër vend që duhet patjetër ta vizitoni.
Në destinacionet turistike të Kosovës gjejmë edhe shumë e shumë vende të tjera të bukura dhe interesante, prandaj në ditët kur jeni të lirë dhe dëshironi të të kaloni kohë rekreative dhe të mësoni histori, kudo që shkoni në Kosovë do të gjeni vende që do ju mahnitin me bukuri dhe histori.







