Çdo vit, me datën 5 tetor, bëhet nderimi i një prej profesioneve më fisnike dhe më të rëndësishme në botë, për profesionin e mësuesve. ‘Dita Ndërkombëtare e Mësuesve’ e cila shënohet sot, vlerëson punën e mësuesve në shkolla dhe institucione arsimore në të gjithë botën dhe është një rast i mirë për të kujtuar kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, në formimin e së ardhmes së brezave të rinj.
Në këtë ditë, jemi të ftuar të reflektojmë mbi rëndësinë dhe rolin e mësuesve në shoqëri. Ata janë fryma e arsimit dhe udhërrëfyesit e të rinjve, në rrugën drejt njohurive dhe sukseseve. Në një botë që ndryshon me shpejtësi, mësuesit janë ata që formojnë mendjet e të rinjve dhe i përgatisin ata për sfidat e të ardhmes.
Si në çdo vend tjetër edhe në Kosovë, mësuesit hasin në shumë sfida duke bërë çmos për të përmirësuar cilësinë e arsimit sepse një arsim i mirë është themel i zhvillimit të qëndrueshëm dhe përmirësimit të shoqërive tona dhe mësuesit luajnë rol të çmuar në këtë proces.
Në këtë ditë të veçantë, ekskluzivisht për Radio KFOR-in, ka folur mësimdhënësja e lëndës së Biologjisë në SH.F.M.U. “Naim Frashëri”, znj. Emine Asllani Bërbatovci.
Mësimdhënësja znj. Asllani Bërbatovci, e cila ka 20 vite përvojë në arsim, u shpreh se në këtë ditë duhet të kujtohen të gjithë ata që kanë kontribuar dhe kontribuojnë për arsimin, ndërsa u shpreh se nxënësit janë bekim i një vendi:
“Fillimisht i uroj të gjithë kolegëve anembanë botës ‘Ditën Ndërkombëtare të Mësuesve’. Si mësimdhënëse, mësimnxënia te fëmijët është shumë e rëndësishme për mua, sepse ata janë e ardhmja e vendit. Prandaj, gjithmonë synojmë që të rrisim nivelin e cilësisë në arsim, të jemi konkurrent me vendet perëndimore që janë më të zhvilluara dhe t’krijojmë një mjedis shkollor “mik” për të gjithë, si të barabartë për të arritur deri tek suksesi individual dhe kolektiv.”
Ndër të tjera znj. Emine, këshilloi edhe gjithë ata student e studente që zgjedhin profesionin e mësuesit, ta duan dhe ta nderojnë sepse sipas saj, profesioni i mësuesit është profesion i bekuar: “Ata që zgjedhin profesionin e mësuesit, do ju këshilloja që ta duan me zemër këtë profesion të bekuar, sepse është mision jetësor. Do formosh fëmijë intelektual që në të ardhmen, ata të jenë të zotë dhe të bëhen më të mirët në profesionin e tyre.”
Në ‘Ditën Ndërkombëtare të Mësuesve’, le të shprehim falënderim të thellë ndaj të gjithë mësuesve të botës, për përkushtimin e tyre, pasionin për mësim dhe ndikimin e tyre pozitiv në jetën e nxënësve.
Gëzuar ‘Dita Botërore e Mësuesve’!