Muaji gusht, qysh në ditët e para, po shfaqet shumë premtues për të qenë një nga muajt më të paharruar, për sa i përket aktiviteteve të shumta që do të mbahen në vendin tonë.
Duke filluar nga nesër, 4 gusht, Prizreni do të jetë qendra e filmit, pasi mirëpret edicionin e 22-të të “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër”- DokuFest. Në këtë edicion, DokuFest-i do të shfaqë 104 filma në tetë kategori konkurruese, me 481 filma nga 111 vende të ndryshme, të cilët kanë aplikuar për pjesëmarrje në këtë festival. Edicioni i 22-të i “DokuFestit”, do të mbahet nga data 4 deri më 12 gusht, 2023, në Prizren.
Një festival tjetër që na vjen në këtë fillim gusht, është edhe ‘GremFest’, festival ky që mbahet në Gremnik, të Klinës dhe sivjet po shënon edicionin e tretë me radhë. Me moton “Ejani të pimë dhe të argëtohemi”, kjo ngjarje do të ju ofrojë birra natyrale, muzikë të mirë dhe një ambient fantastik. ‘GremFest’ mbahet në datat 4 dhe 5 gusht.
Po më 4 gusht, në ambientin e ‘Bear Sanctuary Prishtina’ apo në Pyllin e Arinjve, fillon “Fundjava e Diasporës”, e cila do të zgjasë deri më 6 gusht, ndërsa do të sjellë aktivitete të shumta për fëmijë, net dedikuar filmit dhe mbrëmje muzikore.
Edhe qyteti i Gjilanit do të ofrojë aktivitete të shumta përgjatë muajit gusht, filluar me “Angros Festival – 6” që do të mbahet nga data 4 deri më 6 gusht. Muzika elektrizuese përmes “Natës Elektronike’, pastaj ‘Angros Kids’ dedikuar fëmijëve dhe shfaqjes së filmi, janë këto vetëm disa nga aktivitetet që vijnë në kuadër të “Angros Festival – 6”, që sivjet do të mbahet tek platoja e Teatrit, në Gjilan.
Ndërkohë, në datat 5 dhe 6 gusht, Krusha e Madhe mirëpret festivalin “AgroFesta”.
Festivali tradicional i perimekulturës “AgroFesta”, është festë e cila ka për qëllim promovimin e prodhimeve bujqësore që mbahet në Krushë të Madhe. Në këtë festë, bujqit punëtorë të kësaj treve, ekspozojnë prodhimet bujqësore si dhe trashëgiminë kulturore të komunës së Rahovecit.







