Përmbledhjen javore teknologjike, e fillojmë me gjigandin Apple, për të cilin bëhet e ditur se mund ta ketë marr një patentë për një lloj të ri të case-it ose maskës mbrojtëse, që është super-rezistente. Me këtë zbulim, gërvishtjet dhe dëmtimet në sipërfaqe të iPhone-it do të mbesin në të kaluarën. Maska të tilla mbrojtëse pritet që të vijnë në telefonat e serisë së re te Apple.
Në përmbledhjen teknologjike këtë javë, kemi edhe kompaninë Manta 5, që ka testuar biçikletën e ujit për herë të parë dhe një nga arenat provë ishte lumi Sena, në France. E pajisur me motorin 2.5 kilovatësh, “Manta 5 SL3” është gjenerata e dytë e biçikletave ujore të kompanisë së Zelandës së Re. Në varësi prej konfigurimit të baterisë dhe nivelit fizik, çiklistët mund të qëndrojnë mbi ujë deri në katër orë dhe lundrimi në lumin Sena me këtë biçikletë, është bërë me rastin e organizimit të panairit më të madh të teknologjisë në Francë. Kjo biçikletë tani kushton 10 mijë euro, por kompania thotë se shpreson ta ulë çmimin, me rritjen e prodhimit të këtyre biçikletave.
Lajmet vendore teknologjike po ashtu janë pjesë e përmbledhjes këtë javë. Qyteti i Prizrenit do të jetë nikoqir i një prej konferencave më të mëdha teknologjike. Fjala është për FOSS4G, që do të mbahet ndërmjet datave 26 qershor dhe 2 korrik, ku pritet të marrin pjesë rreth 1.000 pjesëmarrës, nga e gjithë bota. Konferenca do të ketë një program të pasur me mbi 80 punëtori, 200 prezantime, panele dhe ekspozita nga organizata dhe kompani të ndryshme, që kontribuojnë në zhvillimin e teknologjisë gjeo-hapësinore.