Duke parë rrezikun real që i kanoset shoqërisë nga substancat narkotike ilegale, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1987, vendosi që në datën 26 qershor, të shënojë “Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Paligjshëm të Drogës”.
Kjo ditë shënon vendosmërinë e forcimit të veprimit dhe bashkëpunimit me individë, komunitete dhe organizata të ndryshme në të gjithë botën, për të arritur këtë qëllim madhor, në të mirë të gjithë njerëzimit.
Trafikimi i drogës shkel të drejtat themelore të njeriut dhe shkakton dëme serioze për individët dhe shoqëritë. Shënimi i “Ditës Botërore kundër Abuzimit të Drogave dhe Trafikimit të Paligjshëm”, ndihmon në ndërgjegjësimin e këtyre shkeljeve dhe në promovimin e respektimit të të drejtave të njeriut.
Kjo ditë mund të shërbejë për të nxitur politikat dhe programet që synojnë parandalimin e abuzimit të drogës, trajtimin e njerëzve të prekur nga droga dhe ndëshkimin e trafikantëve të drogës.