Java që po e lëmë pas, ka pasur ‘agjendë’ të ngjeshur sa i përket teknologjisë. TikTok as këtë javë nuk ka gjetur qetësi. Ligjvënësit në shtetin amerikan të Montanës, kanë dhënë miratimin përfundimtar për një projektligj që ndalon TikTok-un në pajisjet personale. Projektligji, u miratua me një votim, me 54 pro dhe 43 kundër. Projektligji ndalon dyqanet që t’u ofrojnë përdoruesve mundësinë për të shkarkuar aplikacionin Montana është shteti i parë që ndalon me ligj aplikacionin më popullor në masë. Ky ndalim i aplikacionit në pronësi të kompanisë kineze ByteDance, në SHBA vjen për shkak të shqetësimeve të sigurisë në TikTok.
Bitcoin ka gëzuar një javë të mbarë. Një rritje e mprehtë e çmimeve të Bitcoin e ka çuar çmimin e kriptovalutës në mbi 30.000 dollarë. Ky nivel, sipas mediave të huaja, është më i larti për herë të parë që nga 10 qershori i vitit të kaluar.
Të reja javore kemi edhe nga firma globale e teknologjisë me bazë në SHBA, Apple. Kompania njoftoi se do të përdorë 100 për qind kobalt të ricikluar, në bateritë e saj, deri në vitin 2025. Përveç kësaj, magnetët në pajisjet e kompanisë në fjalë, do të përdorin elemente të rralla të tokës tërësisht të ricikluara dhe të gjitha pllakat e printuara të qarkut, do të përdorin 100 për qind, saldim kallaji të ricikluar dhe veshje me ar të ricikluar deri në vitin 2025.
Edhe inteligjenca artificiale më e famshme për momentin, ChatGPT, ka qenë kryefjalë e mediave këtë javë. Edhe pse aktualisht gjithçka është në nivelin e diskutimit, por nëse rregullatorët zbulojnë ndonjë parregullsi, skenari italian për ChatGPT mund të përsëritet në pjesën tjetër të BE-së. Meqë Italia vendosi të ndalojë përkohësisht qasjen në ChatGPT për qytetarët e saj, deri në zbardhjen e çështjeve të sigurisë dhe përpunimit të të dhënave private, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian, ku autoriteti për mbrojtjen e të dhënave njoftoi se është formuar një grup pune i dedikuar për çështjet që lidhen me ChatGPT.