Sot (13.04.23), në ambientin e Sallës së Kuqe, në Pallatin e Rinisë, në Prishtinë, është promovuar libri “Gjithëpërfshirja në Edukimin Fizik”, nga autori Ahmet Mahmutaj. Botimi i këtij libri është bërë nga Komiteti Paralimpik i Kosovës me mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
“Publikimi i këtij libri plotëson mungesën e teksteve të ngjashme me ato për angazhimin e Personave me Aftësi të Kufizuara në Aktivitete Sportive si dhe ndihmon në sensibilizimin e komunitetit për rëndësinë e sportit në jetën e tyre”, kështu tregoi për Radio KFOR-in, kryetarja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, znj. Njomza Emini e cila gjithashtu shtoi: “Jemi në fazën që si komitetit, po përpiqemi të shtojmë materialin, numrin e profesionistëve dhe elemente tjera përcjellëse, për të konsoliduar edhe më tepër punën sportive me Personat me Aftësi të Kufizuara. Në këtë rast ky promovim i librit, i dedikohet së pari autorit, si sukses personal dhe gjithë personave me aftësi të kufizuara, që janë të interesuar të marrin pjesë në aktivitete sportive. Çdo lexues, ka mundësi të pranoj informacione për rëndësinë e edukimit fizik dhe dobitë që shkakton në shëndetin tonë si dhe mirëmbajtjen e trupit dhe shpenzimin e kohës në formë të dobishme. Lehtësisht kuptojmë se si kanë qenë të organizuara lëvizja paralimpike dhe angazhimet e para në këtë drejtim në Kosovë, po ashtu flet edhe për nivelin aktual të organizimit. Puna e jashtëzakonshme e autorit, ka ndërthurë në mënyrë kronologjike historikun, faktet dhe informacionet relevante për format e edukimit fizik dhe gjithë angazhimit të jetës sportive paralimpike në Kosovë, deri më tani. Komiteti Paralimpik i Kosovës, tashmë përveç publikimit të këtij libri, po vazhdon të angazhohet edhe në fusha tjera, për të përgatitur profesionistët e angazhuar në sporte paralimpike, për të shtuar numrin e para-sportistëve në klubet që merren me sporte paralimpike si dhe për të ndërkombëtarizuar angazhimin e gjitha klubeve dhe federatave para sportive. Krahas punës lokale, jemi në fazën e vlerësimit të mundësive për pjesëmarrje në Lojërat Paralimpike 2024, varësisht nga numri i para-sportistëve që do arrijnë normat paralimpike, për të qenë të kualifikuar. Lojërave paralimpike atje i paraprijnë një numër i garave regjionale dhe ndërkombëtare, në të cilat kemi plan të përfaqësohemi dhe të testojmë nivelin profesional dhe konkurrueshmërinë që do arrijnë para-sportistët tanë.”
Libri “Gjithëpërfshirja në Edukimin Fizik” i autorit Ahmet Mahmutaj, do shërbejë si referencë e mirë e marrjes së informacioneve për këtë fushë nga opinion publik, para-sportistët dhe punëtorët e angazhuar në sportet paralimpike.