Java e tretë e muajit shkurt do sjell aktivitete të ndryshme, të cilat mund ti ndiqni nga afër. Shfaqje teatrale, muzikë, ngjitje malore dhe shumëçka tjetër, janë disa nga ngjarjet që do të shënohen gjatë këtyre ditëve.
Pas dy netëve në Kamëz, shfaqja “Emigrantët” do të zhvendoset në Kosovë, në skenën e qendrës së aktivistëve në Termokiss, në Prishtinë. Shfaqja “Emigrantët”, do të jepet me datën 16 shkurt, në orën 19.00 dhe pas përfundimit të saj do të zhvillohet një bisedë mes aktorëve, aktivistëve dhe publikut të pranishëm. Hyrja është e lirë, pa pagesë.
Ndërsa, për fansat e aktiviteteve në hapësira të jashtme, Kosovo Mountain Club po organizon ecjen dy ditore me fjetje, në stan tradicional druri, në një nga zonat më të thella dhe të bukura të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovë. Pajisjet e nevojshme: këpucë dimërore, gete (hiking gaites), rroba të lehta dhe të ngrohta, kapelë, dorëza, shkopinj për ecje, ushqim për dy ditë, llamë koke dhe një çantë për fjetje (sleeping bag).
Për shkak të kapacitetit në akomodim, numri i pjesëmarrësve në këtë aktivitet është i limituar në 18 persona dhe vetëm ata që lajmërohen të parët, do të mund të marrin pjesë.