Kampanjën kinematografike të Radio KFOR-it, e vazhduam me regjisoren e mirënjohur, znj. Sevdije Ajeti.
Gjatë bisedës në studio, regjisorja Ajeti, zbuloi detaje nga puna e saj e gjatë artistike, duke përmendur shfaqjet e shumta që ka realizuar ndër vite dhe kënaqësinë që i ofron ky profesion: “Regjisori gjithmonë është prapa kamerave, ndonëse asnjëri nuk mundet pa njëri tjetrin. Por, puna ime në televizion, pastaj puna ime si aktore në disa shfaqje dhe po ashtu në film, ka ndikuar që rrjedhimisht të nisë së krijuari shfaqje të shumta, të cilat janë pranuar shumë mirë nga publiku artdashës.”
Disa nga shfaqjet, të cilat i ka realizuar regjisorja Ajeti, janë: ‘Gënjeshtër pas gënjeshtre’, ‘Dasma e Kallajxhiut’, ‘Jo simpfonia e 5-të, po e 9-ta’, ‘Të jesh nënë’, ‘Saptolem’, ‘Cehovi i thotë lamtumirë Tolstoit’, ’Anna Christie’, ‘Propozim për martesë’, e shumë shfaqje të tjera, të cilat kanë zgjuar interesim të jashtëzakonshëm nga audienca e gjerë.
Regjisorja Ajeti, mes tjerash, tërhoqi një paralele në mes të të krijuarit të artit dhe anës komerciale, nga e cila sot është atakuar gjithë bota kinematografike dhe shtoi: “Të mendosh të fitosh nga arti, është shumë e vështirë, por nëse nuk na mungon puna, përkushtimi dhe vullneti, atëherë natyrshëm vjen edhe ana financiare.”
Përveç shfaqjeve të realizuara tashmë, znj. Ajeti tregoi se ajo nuk do të ndaloj së krijuari art, përmes shfaqjeve të ndryshme që do të i ofroj publikut, që e admiron punën e saj.