KFOR-i po vazhdon të përkrah të gjithë banorët në Kosovë, pa dallim si dhe institucionet e ndryshme, duke përfshirë edhe ato arsimore.
Me datën 14 shkurt, falë një projektit të CIMIC –ut (Bashkëpunimi Ushtarak Civil i KFOR-it) i iniciuar nga LMT-të, të cilët veprojnë në zonën e Komandës Rajonale – Perëndim, Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët ‘Anton Santori’, në fshatin Biti e Epërme, në komunën e Shtërpcës, u pajis me kompjuterë dhe projektorë, të cilët do të ndihmojnë në ofrimin dhe zhvillimin e mësimit më cilësor.
Gjatë dhurimit të këtij donacioni, Komandanti i Komandës Rajonale – Perëndim, Kolonel Mario Rozzi, tha: “Unë shpresoj se ky donacion do të jetë i nevojshëm për gjithë shkollën tuaj. Ne, sigurisht se do të vazhdojmë të ju mbështesim, nëse shkolla ka nevojë edhe me ndonjë donacion tjetër. KFOR-i është gjithmonë prezent aty ku ka fëmijë dhe do të jep mbështetjen e tij, në mënyrë të parezervuar.”
Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët “Anton Santori’, ka gjithsej 21 nxënës, të cilët e vijojnë mësimin nga klasa e parë, deri në të nëntën.
Jashtëzakonisht mirënjohëse për ndihmën e KFOR-it ishte edhe drejtoresha e shkollës, Lumnije Hyseni, e cila theksoi se tani e tutje nxënësit e kësaj shkolle do të kenë kushte më të mira për mësim: “Dua t’i falënderoj përfaqësuesit e KFOR-it për dhurimin e këtij donacioni, i cili është shumë i nevojshëm për ne dhe nxënësit. Nga KFOR-i kemi vizita; ata na sjellin revistën e tyre, topa, dhurata si dhe herën e fundit na i kanë sjellë katër tabela të murit. Ndihmën më të madhe që i ka bërë KFOR-i kësaj shkolle, ka qenë dhurimi i një kombi-busi për t’i bartur fëmijët nga Bitia e Poshtme, që ka një largësi prej 4,5 km. Pra, ne jemi shumë mirënjohës për gjithçka që ka bërë KFOR-i në Kosovë, por edhe për shkollën tonë.”
Përmes projekteve të shumta të realizuara nga KFOR-i, po dëshmohet se përkushtimi i tyre në sigurimin e një të ardhme më të mirë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, po vazhdon edhe më tutje!