Përveç detyrave të përditshme në ruajtjen dhe sigurinë e të gjithëve në Kosovë, Policia e Kosovës edhe në prag të festave të fund po e tregojnë prezencën e tyre në vend, përmes fushatave të ndryshme.
Policia Rajonale e Policisë së Kosovës në Ferizaj, së fundmi ka realizuar projektin ‘Të festojmë së bashku’. Në kuadër të këtij projekti, fëmijët e këtij qyteti, patën rastin të bashkëbisedojnë me pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe të pranojnë urime dhe dhurata nga policia. Po ashtu gjatë muajit dhjetor, Stacioni Policor në Prizren ka mbajtur ligjërata para rreth 1.200 nxënësve, në shtatë shkolla të ndryshme për dukuri të ndryshme negative.
“Gjatë muajit dhjetor 2022, Stacionet Policore nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren kanë mbajt ligjëratat nëpër shkolla me tema të ndryshme. Ligjëratat janë mbajtur kundër dhunës në familje, dhunës në bazë gjinore, bullizmit etj.”, thuhet kështu në raportin e Policisë së Kosovës.
Sipas raportit në fjalë, policia ka shpërndarë edhe mbi 830 fletëpalosje, rreth vetëdijesimit dhe raportimit të dhunës në familje, në shkolla fillore dhe të mesme. Policia e Kosovës, përgjatë gjithë vitit përveç detyrave të tyre rutinë, në vazhdimësi ka organizuar kampanja, fushata vetëdijesuake dhe aktivitete tjera në të mirën e të gjithë banorëve në Kosovë.