Në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të komuniteteve fetare, sektorit civil punonjës të KFOR-it dhe të ftuarve të shumtë, të cilët gjatë këtij dhe viteve të kaluara bashkëpunuan me sukses me misionin e KFOR-it në Kosovë, Radio KFOR-i, Video Produksioni i KFOR-it dhe Revista 4You, festuan përmbylljen e një tjetër viti të suksesshëm.
Të ftuar të shumtë, të cilët me praninë e tyre e bënë edhe më të madhe festën e fund vitit, shfrytëzuan rastin të falënderojnë KFOR-in për bashkëpunimin, me dëshirën që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në vitet në vijim.
Në këtë event, e ftuar ishte Zv. Drejtoresha Ekzekutive e RTV Dukagjini, znj. Edita Doli, e cila theksoi: “Në eventet që i organizon KFOR-i, vërehet një atmosferë relaksuese dhe gjithmonë kam dëshirë të jem pjesë e tyre dhe ju falënderoj për respektin. I vetmi koligialitet i pastër, i shëndoshë dhe përkrahje që e kemi, është lidhja që kemi me Radio KFOR-in. Radio KFOR-i njihet për bashkëpunimin me të gjitha radiot në Kosovë, së fundmi kemi pasur edhe një maratonë me kolegët, ku na keni ftuar në studiot tuaja që ka qenë edhe një sinjal tjetër i bashkëpunimit të mirëfilltë që kemi me Radio KFOR-in dhe besoj që do ta kemi gjithmonë. Urimi im paqe, paqe dhe shëndet, gëzuar viti 2023!”
“Bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë dhe i drejtë. Kemi planifikuar aktivitete të ndryshme të përbashkëta, shpresoj që në të ardhmen do të mund të realizojmë disa prej tyre. Kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me radion e KFOR-it përmes fushatave të ndryshme që kanë të bëjnë me sportin dhe jetën ndëretnike në Kosovë. I uroj misionit të KFOR-it shumë sukses në vitin e ardhshëm, sa më pak punë në aspektin e sigurisë dhe që të përfshihen sa më shumë në jetën për komunitete!”, tha z. Petar Gjorgjeviq nga OJQ ‘Mlada Aktivna Graçanica’.
Gazetari dhe njëherit moderatori i njohur, z. Berat Miftari, në lidhje me bashkëpunimin me KFOR-in, shtoi: “Energjinë që e përçojnë Radio KFOR-i dhe mënyra se si komunikojnë me publikun, pastaj kampanjat që i realizojnë, kanë efekt të madh, sepse derisa jemi në kolonë, në presion të ditës, aty transmetohen edhe mesazhet e KFOR-it, duke na dhënë mesazhe të rëndësishme. Prandaj, komplimente për kolegët që janë në KFOR. Mesazhi im është ta duam më shumë njëri-tjetrin, ta respektojmë dhe ta shijojmë çdo ditë dhe e përgëzoj gjithë misionin e KFOR-it, për punën dhe misionin e tyre!”
Themeluesi i ‘Projektit 5 cent’, z. Jusuf Islami, i pranishëm në këtë event, tha: “Ju falënderoj dhe jam i nderuar për ftesën tuaj. Bashkëpunimi im me KFOR-in, ka nisur tash e gjashtë vite, në veçanti me projektin e ‘Maratonës së Babadimrit’. Jeni një staf i mrekullueshëm që gjithmonë na prisni me shumë dashuri, neve të gjithë mysafirëve. Mesazhi im për të gjithë është të kemi dashuri më shumë për njëri-tjetrin dhe të mos kemi urrejtje!”
“Bashkëpunimi ynë në pesë vitet e fundit, në përgjithësi ka qenë i mirë, prej se jam në pozitën e Zëvendëses së Ombudspersonit të Kosovës dhe shpresoj që do të vazhdojë të jetë edhe shumë më i mirë. Sa i përket urimit për Vitin e Ri, duke qenë se vij nga një institucion që merret me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dëshiroj që niveli i mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut të jetë shumë më i lartë, e për këtë duhet të punojmë të gjithë së bashku, institucionet dhe mediat”, tha ndër të tjera Zëvendësja e Ombudspersonit të Kosovës, Marija Raduloviq.
Drejtor i shkollës së kitarës ‘VIHUELA’, z. Naser Dula, pati po ashtu disa fjalë për bashkëpunimin e tij me KFOR-in: “Ne jemi me ju, pothuajse nga fillimi dhe jemi shumë të kënaqur me të gjitha mediat e KFOR-it. Radio KFOR-in e dëgjojë shumë. Keni bërë një punë të mrekullueshme, sepse keni integruar edhe artistë të ndryshëm. E sa i përket urimit, dua tua uroj Krishtlindjet dhe Vitin e Ri! Urojmë që të keni gjithmonë paqe dhe qetësi!”
I ftuar nga shtypshkronja ‘Blendi’, ishte dizajneri, z. Milot Rudi, i cili shtoi: “Mediat e KFOR-it janë shumë të mira. Ne bashkëpunojmë me KFOR-in dhe jemi shumë të kënaqur, si me revistën dhe të tjerët. Për fund, për të gjithë dëgjuesit urime festat, e dhashtë Zoti për vitin tjetër edhe më shumë të mira, suksese dhe shëndet!”
KFOR-i dhe të gjitha mediat që punojnë përbrenda kësaj organizate, siç janë Radio KFOR-i, Revista 4You dhe Video Produksioni i KFOR-it, falënderojnë të gjithë për bashkëpunim, me dëshirën që i tillë të mbetet bashkëpunimi edhe në vitet në vijim.