Festa e Vitit të Ri, pa dyshim që është një nga festat më të mëdha në botë. Kultura të ndryshme shënojnë hyrjen në një vit të ri, pranë më të dashurve të tyre, me dëshirat dhe synimet për vitin e ardhshëm. Për ta shënuar këtë natë, ka një sërë traditash të çuditshme dhe interesante në gjithë botën. Në Skoci, nata e Vitit të Ri quhet Hogmanay apo ‘këmba e parë’, ku miqtë vizitojnë njëri – tjetrin, menjëherë pas mesnate. Personi i parë që viziton shtëpinë e mikut, duhet të sjellë një dhuratë, pasi kjo do të thotë fat për atë shtëpi.
Në Spanjë, është zakon të hahen 12 kokrra rrush, siç bien edhe kambanat për mesnatën e 31 dhjetorit. Një rrush hahet në çdo tingull të ziles dhe çdo rrush supozohet të sjellë fat të mirë, për 12 muajt e vitit të ardhshëm.
Në Brazil, Ekuador, Bolivi, Venezuelë dhe në disa vende të tjera të Amerikës Qendrore dhe Jugore, njerëzit veshin të brendshme të veçanta, me ngjyra të ndryshme përgjatë natës së Vitit të Ri, që besohet se do ju sjell fat gjatë vitit të ardhshëm. P.sh., ngjyra e kuqe, supozohet të jetë e mirë për të sjellë dashuri në Vitin e Ri, ndërsa e verdha supozohet të sjellë para.
Pra, në shumë vende të botës, por edhe tek ne, nata e Vitit të Ri festohet në mesin e familjarëve, miqve, të cilët urojnë njëri – tjetrin për një vit më mbarë, kërcejnë, hanë, pinë, shikojnë ndonjë emision argëtues apo spektakël televiziv ose ndezin fishekzjarrë.