Asambleja e Kombeve të Bashkuara në vitin 1985, vendosi që datën e sotme, 5 dhjetorin, të ia dedikojë vullnetarëve, prandaj sot, shënohet ‘Dita Ndërkombëtare të Vullnetarëve për Zhvillimin Ekonomik dhe Social’, e njohur ndryshe edhe si ‘Ditë Ndërkombëtare e Vullnetarizmit’. Çdo akt vullnetarizmi është një akt dashamirësie. Është një gjest paqeje dhe vullneti të mirë. Vullnetarët e kuptojnë me seriozitet thënien “Më bekim është të japësh, sesa të marrësh”.
Qëllimi i kësaj dite, është që të njihet kontributi i vullnetarëve për përpjekjet e tyre në komunitet dhe për të rritur ndërgjegjësimin e publikut për të kontribuar në shoqëri. Tema e sivjetme e cila shënon këtë ditë, është ‘Solidariteti përmes vullnetarizmit’.
Vullnetarizmi, është shumë i rëndësishëm për funksionimin e një shoqërie të shëndetshme, përgjatë viteve, shumë vende janë fokusuar në kontributin e vullnetarëve për të luftuar, varfërinë, urinë, sëmundjet, shëndetin, degradimin e mjedisit dhe barazinë gjinore. Në Bashkimin Evropian, përafërsisht 100 milion qytetarë të të gjitha grup moshave investojnë kohën, talentin dhe paratë e tyre, në punë vullnetare, për të kontribuar pozitivisht në komunitetin ku jetojnë, në organizata të shoqërisë civile, klube të të rinjve, spitale, shkolla, etj.
Ekzistojnë më shumë se 970 milionë vullnetarë, në të gjithë botën. Mirëpo, edhe pse ka miliona vullnetarë, bota gjithmonë ka nevojë edhe për vullnetarë të tjerë!