Përmbledhjen javore teknologjike, të kësaj jave që po e lëmë pas e fillojmë me rrjetin social WhatsApp, i cili ka prezantuar një veçori të re, që do t’i lejojë përdoruesit të kenë qasje në të njëjtën llogari, në pajisje të shumta. Përdoruesit do të lejohen të përdorin të njëjtën llogari WhatsApp, në katër pajisje njëkohësisht. Me funksionin e sapo lansuar, kur përdoruesit instalojnë WhatApp në një telefon të ri, ata do të kenë një mundësi për të lidhur llogarinë e tyre me një pajisje tjetër nëpërmjet një kodi QR.
Të reja teknologjike këtë javë kemi pasur edhe nga rrjeti tjetër social Facebook, i cili duke filluar nga 1 dhjetori, do të heqë një sërë detajesh personale në përshkrimin që përdoruesit mund t’i ndajnë në bio të profileve të tyre. Në një njoftim nga kompania, thuhet se këto ndryshime vijnë pas përpjekjeve të Facebook-ut, për ta bërë më të lehtë navigimin dhe përdorimin e Facebook-ut.
Edhe kompania Tesla, është pjesë e përmbledhjes javore të teknologjisë. Kompania në fjalë ka vendosur që të tërheqë 321 mijë makina nga qarkullimi, për shkak të një problemi me softuerin ku dritat e pasme të makinës nuk funksionojnë siç duhet. Prodhuesi i makinave njoftoi se rikthimi do të mbulojë makinat e 2023-ës, të ‘Model 3’ dhe makinat e 2020-2023, të ‘Model Y’, që janë prodhuar në SHBA.