Data e sotme, 14 nëntor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Diabetit”, e cila ka për qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin e mbarë botës për sëmundjen e diabetit, parandalimin e kësaj sëmundjeje dhe trajtimin e duhur. Edhe këtë vit (2022), po vazhdon fushata e nisur vitin e kaluar (2021), e emërtuar “Qasja në kujdesin ndaj diabetit” (Access to Diabetes Care), e cila fokusohet në nevojën për qasje më të mirë dhe cilësore, të trajtimit të diabetit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), diabeti prek rreth 5% qind të popullsisë së botës dhe numri i të sëmurëve është vazhdimisht në rritje, duke u dyfishuar çdo 10 vjet. Në botë, sot numërohen 366 milionë persona me diabet dhe në vitin 2030 mendohet të jenë 520 milionë apo 6,3 % e popullsisë së botës, të prekur nga diabeti. Sipas OBSH-së, diabeti shkakton çdo vit 5% të vdekjeve globale dhe mendohet se vdekjet nga diabeti në 10 vitet e ardhshme, do të rriten në 50%.
Ndryshe, 14 nëntori, si “Ditë Botërore e Diabetit”, është vendosur për nder të ditëlindjes së Sir. Frederick Grant Banting, i cili ishte një shkencëtar mjekësor, mjek, piktor dhe laureat i çmimit Nobel i njohur si bashkë-zbuluesi i insulinës dhe potencialit të saj terapeutik së bashku me shkencëtarin tjetër kanadez, Charles Best, që arritën të izolojnë nga pankreasi i qenit, insulinën e cila ndryshoi dhe shpëtoi jetën e personave me diabet në mbarë botën.







