Këtë të enjte, në ora 11:30, në sheshin ‘Zahir Pajaziti’, në Prishtinë, do të hapet ekspozita ‘Gjuajtje në shenjë’, që në mënyrë artistike përçon porosinë për vëmendje të shtuar në komunikacion dhe ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për kujdes dhe mirëmbajtje të rrugëve, përkatësisht të shenjave të komunikacionit.
Në një prononcim dhënë Radio KFOR-it, organizatori i këtij projekti, z. Jusuf Islami, ofroi më shumë hollësi në lidhje më përmbajtjen e kësaj ekspozite: “Nga një hulumtim i yni i bërë në disa vende rurale të Kosovës, fillimisht rastësor, e më pas i qëllimshëm, kemi vërejtur që në shumë vende, sidomos në rrugët afër maleve, shenjat e komunikacionit janë të dëmtuara nga gjuajtjet me armë zjarri. Nga ky fakt, na ka lindur ideja e një projekti, i cili më shumë do të ketë karakter sensibilizimi për të gjithë. Ideja e ekspozitës, pasqyron ndjenjën artistike nga këndi i një artisti, emocionin e tij dhe mënyrën se si ai e zhvillon kreativitetin e vet, që në vete do të ketë konceptin që lidhet me tabelat sinjalizuese.”
Kjo performancë artistike, është financuar nga Komuna e Prishtinës dhe i dedikohet fëmijëve me autizëm.