Data e sotme, 24 tetor, i është ndarë shënimit të “Ditës Botërore të Zhvillimit të Informacionit”, që ka për qëllim informimin e drejtë për të gjithë dhe për gjithçka që na rrethon, duke filluar nga ngjarjet lokale, rajonale e ndërkombëtare, por edhe të drejtën e informimit për të gjitha ngjarjet që na preokupojnë në lidhje me mjedisin tonë dhe më gjerë.
Më shumë informim, nënkupton më shumë ndërgjegjësim, më shumë përgjegjësi, më shumë përpjekje. Nga viti në vit, shënimit të “Ditës Botërore të Zhvillimit të Informacionit”, i shtohet edhe rëndësia e zhvillimit të hovshëm teknologjik, që sot numëron mundësi të shumta të informimit. “Dita Botërore e Zhvillimit të Informacionit”, është vendosur nga Kombet e Bashkuara dhe në këtë ditë u bëhet thirrje të gjitha shoqërive, që të vazhdojnë të rrisin shpenzimet e tyre për kërkimin dhe zhvillimin.
Në shënimin e “Ditës Botërore të Zhvillimit të Informacionit”, Kombet e Bashkuara kanë postuar një listë të qëllimeve të zhvillimit të qëndrueshëm, të cilat synojnë që të adresojnë sfidat globale siç janë: një botë pa varfëri, zero uri, shëndet dhe mirëqenie për të gjithë, edukim cilësor, barazi gjinore, energji e përballueshme dhe e pastër si dhe çështje të tjera.