Tetori njihet edhe si ‘Muaji Botëror i Menopauzës’, një fushatë vjetore për të rritur ndërgjegjësimin rreth fazës natyrore të jetës së një gruaje, kur nivelet e saj të hormoneve bien dhe periodat menstruale ndalen. Sot, me 18 tetor, në gjithë botën shënohet ‘Dita Botërore e Menopauzës’, për të ngritur diskutime dhe ndihmë për gratë të cilat përjetojnë ndryshime fizike por edhe mendore që ndikojnë në jetën e përditshme. Rreth kësaj dite, Radio KFOR- ka zhvilluar një intervistë me Gjinekologe/obstetre, Dr. Mirvete Shabani, e cila tregoi më shumë rreth menopauzës dhe ndau disa këshilla për gratë gjatë kësaj periudhe: “Zakonisht menopauza fillon nga mosha 45 vjeçare. Vezoret prodhojnë më pak hormone, shpesh mungon ovulacioni dhe për këto arsye, gratë kanë vështirësi të mbesin shtatzënë. Në këtë periudhë, cikli menstrual është i parregullt dhe në fund mungon tërësisht gjakderdhja mujore. Gjakderdhja e fundit quhet menopauzë. Këshilla ime për të gjitha gratë në këtë periudhë, është që të kenë një stil jete të shëndosh, lëvizje, të merren me sport, ushqim të shëndetshëm dhe të rregullt, të mos stresohen dhe të konsumojnë sasi të mjaftueshme të ujit apo lëngjeve.”
Disa nga simptomat e menopauzës përfshijnë: Nxehtësia dhe djersitjet gjatë natës, stresi, probleme me gjumin, përqendrimi i dobët, ndryshim të lëkurës dhe flokëve, mungesa e energjisë, dhimbje muskujsh dhe ndryshime në humor.