Nga prodhimi, përgatitja dhe shpërndarja e ushqimeve, puna e grave në zonat rurale e ndihmon rritjen e zhvillimit bujqësor, përmirësimin e sigurisë së ushqimit dhe luftimin e varfërisë në këto zona. Sot (15.10.22), nderohet dhe kërkohet vetëdijesim mbi sfidat dhe kushtet në të cilat punojnë gratë në këto zona në ‘Ditën Ndërkombëtare të Grave në Zonat Rurale’.
Një projekt që ka për qëllim pikërisht zhvillimin e zonave rurale, është finalizuar edhe në rajonin e Suharekës, për gratë e këtij rajoni. Rreth këtij projekti Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me një nga ekspertet e këtij projekti, Linda Baleta, e cila tregoi rreth qëllimit të këtij projekti dhe përfitimeve që ka sjellë tek përfituesit: “Gra nga rajoni i Suharekës kanë marrë pjesë në projektin ‘Studimi mbi mundësitë e zhvillimit të zonave rurale përmes brendimit rajonal, transformimit digjital dhe marketingut të produkteve vendore në Kosovë’, i implementuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës – G7, në bashkëpunim me Komunën e Suharekës dhe financuar nga JICA (Japan International Cooperation Agency). Komuna e Suharekës është përzgjedhur si lokacion pilot, për shkak të karakteristikave gjeografike dhe resurseve natyrore që ofrojnë potencial të madh për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe eksportit. Përvoja nga aktivitetet në zonën pilot do të aplikohet në çdo rajon dhe mbështet zhvillimin ekonomik rajonal duke tërhequr investime, duke mbështetur rritjen e biznesit dhe ndërmarrjeve etj. Qëllimi i këtij projekti përfshin: mundësitë për zhvillimin e zonave rurale përmes përmirësimit të brendimit rajonal, transformimit digjital (tregu E-green) dhe marketingut. Të rritet vetëdijesimi për brendimin rajonal dhe përfitimet e tij për ekonominë lokale, pastaj, të përmirësohen aftësitë për brendimin e produkteve dhe strategjitë e marketingut të së paku 20 fermereve nga rajoni i Suharekës e aspekte të tjera.”
‘Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale’, shënohet që nga vitit 1995 për të vlerësuar kontributin e grave rurale në bujqësi dhe arritjet e tyre në mirëqenien e përgjithshme të komunitetit, pavarësisht nga sfidat dhe stereotipet me të cilat përballen.