Përmbledhjen javore e fillojmë me rrjetin social Instagram, i cili ka njoftuar për një mundësi të re për përdoruesit e tyre. Storiet, të cilat ndaheshin automatikisht pas 15 sekondash klip, tashmë do të mund të postohen të plota deri në 60 sekonda.
Edhe TikTok-u, është po ashtu pjesë e mediave teknologjike këtë javë. Aplikacioni mund të përballet me gjobë prej 27 milionë funtesh, pasi besohet se ka dështuar në mbrojtjen e privatësisë së fëmijëve, për periudhën kohore, kur ata e përdorin këtë platformë. Zyra e Komisionarit të Informacionit të Mbretërisë së Bashkuar, ka njoftuar se ky rrjet social mund të ketë përpunuar të dhënat e fëmijëve nën moshën 13 vjeç, pa pëlqimin prindëror.
Sot, 1 tetor dhe përgjatë ditës së nesërme, 2 tetor, në Kosovë po organizohet gara ndërkombëtare ‘NASA Space Apps’, e cila po organizohet në vende të ndryshme, nga e mbarë bota. Gara është organizuar nga Innovation Centre Kosovo (ICK) për të tetin vit me radhë, ndërsa kjo garë u ofron pjesëmarrësve të dhënat e hapura të NASA-së, me qëllim të krijimit të projekteve inovative në robotikë, vizuelizim të të dhënave, aplikacione dhe dizajn.