Përveç ruajtjes së sigurisë dhe rendit, Policia e Kosovës vazhdimisht po organizon aktivitete dhe kampanja të ndryshme që ndikojnë në përmirësimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve. Policia e Kosovës ka zhvilluar disa fushata vetëdijesuese gjatë muajit gusht, e njëra ndër to ishte edhe fushata ‘Siguria në komunikacionin rrugor’, e cila është zhvilluar në disa pjesë të qytetit të Gjilanit.
“Gjatë këtij aktiviteti janë shpërndarë fletëpalosje të cilat apelojnë tek qytetarët dhe pjesëmarrësit në komunikacion, që së bashku të kontribuojmë për sigurinë e përgjithshme në të mirë të të gjithë qytetarëve”, thuhet në komunikatën për media të Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka lansuar edhe një sërë fushatash tjera vetëdijesuese që kanë të bëjnë me sigurinë në trafik, dhunën në familje, kujdesi ndaj këmbësorëve, mbrojtja nga korona virusi dhe shëndeti mendor dhe shumë fushata të tjera, për të rritur sigurinë e qytetarëve në vend.
Policia e Kosovës është edhe më pranë qytetarëve, nëpërmes platformës elektronike ‘Raporto Policinë’, një aplikacion ky efektiv që lejon përdoruesit të denoncojnë parregullsi dhe raste të tjera në Policinë e Kosovës, në çdo moment.