Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ edhe këtë vit, do të hap dyert në programe të studimeve në 14 njësi akademike, në tre cikle: Baçelor; Studimet mastar dhe Studimet e doktoratës. Konkursi plotësues për pranimin e studentëve të rinj në vitin e parë të studimeve themelore, për vitin akademik 2022-23, tashmë është hapur dhe aplikimi do të zgjasë deri më 16 shtator, në ora 16:00.
Rreth këtij viti akademik dhe përgatitjeve për fillimin e vitit, Radio KFOR-i, zhvilloi një bisedë me përfaqësues nga Rektorati i Universitetit të Prishtinës, të cilët u përgjigjën me një shkresë zyrtare: “Universiteti i Prishtinës është duke i bërë përgatitjet e nevojshme, që mësimi të fillojë me datën 3 tetor, 2022 (e hënë). Numri i studentëve të rinj që pritet të i bashkohen UP-së në këtë vit akademik, është rreth 5 mijë e 600 studentë.”
Ndryshe ‘Universiteti i Prishtinës’ së fundmi ka shënuar avancim për vitin 2022, në platformën ranguese SCImago, e cila e vlerëson performancën shkencore të institucioneve të arsimit të lartë, sipas metrikëve të bazuara në kërkimin shkencor, inovacionin dhe ndikimin në shoqëri.