Emancipimi i gruas është i domosdoshëm, jo vetëm për vetën e saj por edhe për të mirën e shoqërisë në tërësi. Në shoqërinë e sotme moderne, zhvillimi dhe emancipimi i gruas i jep një imazh të mirë edhe vendit, duke treguar shkallën e zhvillimit dhe të kulturës së atij vendi. Lidhur me këtë temë, Radio KFOR-i kontaktoi, një aktiviste të zëshme, sa i përket të drejtave të grave, Znj. Neri Ferizi, e cila theksoi: “Më shumë se kurrë grave ju duhet një bashkim në kauzë, për t’u çliruar nga konstruktet dhe limitimet që i përcakton tradita, kultura dhe religjioni. Kjo i krijon asaj mundësi edukimi dhe po ashtu zhvillim intelektual. Pavarësia e gruas është e domosdoshme edhe për gjeneratat që vijnë, është imediate. Pra, edukimi i gjeneratave të reja do të bazohet në veprat që ne do i ndërmarrim, shembullin që ne do e përçojmë tek këto gjenerata, domosdo që do të jetë përcaktuese për gjeneratat e reja. Ne e kemi në dorë emancipimin e gjeneratës që po vjen!”.
Të edukosh një burrë ke edukuar një individ, të edukosh një grua ke edukuar një familje!