Edhe ky fillim muaj, do të jetë i larmishëm me aktivitete kulturore, duke u ofruar artdashësve të shumtë shfaqje e momente të këndshme.
Me këtë rast, Radio KFOR-i ju tregon për disa nga shfaqjet që do të mbahen përgjatë ditëve në vijim:
-“EtnoFest”-i për të 12-tën herë, është bërë platformë qendrore për shpalosjen e kulturës materiale e shpirtërore mbarëshqiptare. Ky festival filloi më 3 shtator dhe do të mbahet deri më 9 shtator, në fshatin Kukaj, ku do të keni rast të ndiqni shfaqje, ekspozita, instalacione, performanca e diskutime mbi aspekte të etnografisë shqiptare, e të shijoni specialitete të kuzhinës tradicionale.
-Të premten më 9 shtator, nga ora 21, në Kino ARMATA mbahet koncerti me performancën e Jean-François Pauvros & Jean-Marc Montera, e cila është pjesë e programit “Four Ways from Sundown” të Kino ARMATA-s, i kuruar nga Sezgin Boynik, Alush Gashi dhe Vigan Nimani për Manifesta 14 Prishtina, ku gjithashtu marrin pjesë Felix Kubin, Anna Thew dhe Sylvain George. Four Ways from Sundown mbështetet nga Fondacioni Manifesta 13 Marseille.
-Me sloganin “Hernation. Collective Future”, për herë të parë në Kosovë dhe rajon, vjen festivali “WUMAN”. Ideuar, organizuar dhe fuqizuar nga gratë, WUMAN mbledhë në Kosovë gratë dhe vajzat DJ, më me ndikim dhe më në zë të muzikës techno-electro për festivalin një ditor. Tashmë është publikuar edhe LINEUP me emrat të cilët do të performojnë: Dani Ramos nga Berlini, Hatari nga Zvicra, Pa Emër nga Tirana, Ivana Dragsic nga Shkupi dhe Dona K nga Zvicra. Përpos muzikës, festivali do të përfshijë edhe aktivitete të tjera gjatë ditës, me temë dhe theks të veçantë zhvillimin e gruas.
WUMAN do të mbahet, më 10 Shtator, nga ora 8:00 në Ferizaj dhe është i hapur për të gjithë ata që e njohin dhe e pëlqejnë muzikën elektronike.