‘Manifesta Bienalja Nomade Evropiane’ e artit bashkëkohor, që këtë vit po zhvillohet në Prishtinë, në kuadër të edicionit të 14-të, ka bërë bashkë artistë nga e gjithë bota me instalacione artistike, aktivitete kulturore, debate dhe krijimin e bashkëpunimit në fushën artistike. Gjatë ditës së sotme (12.08.22), do të zhvillohet një panel diskutimi organizuar nga UN HABITAT, me temën ‘Dizajni i hapësirave publike – sfida të mëdha për mirëmbajtje’, nga ora 10:00 deri në ora 12:00.
Rreth këtij aktiviteti që zhvillohet në hapësirat e stacionit të trenit, në lagjen Arbëria, në Prishtinë, Radio KFOR-i mësoi detaje nga koordinatorja e komunikimit në Manifesta, znj. Nita Deda: “Mungesa e kapitalit njerëzor, mjeteve teknologjike moderne e mbi të gjitha të buxhetit për mirëmbajtje, ndikon menjëherë në cilësinë e hapësirave publike. Në fund, këto hapësira rrezikojnë të mos përdoren më si hapësira publike. Paneli do të diskutojë mbi sfidat me të cilat përballen institucionet vendore dhe kompanitë publike, rolin e komunitetit në mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe rolin e organizatave jofitimprurëse në rritjen e vetëdijesimit për të mbajtur këto hapësira publike të sigurta dhe të mirëmbajtura.”
Një aktivitet tjetër do të zhvillohet po ashtu sonte, nga ora 18:00, në ish-bibliotekën Hivzi Sulejmani, në Prishtinë dhe do të kthehet në një hapësirë leximi nga poetja Elona Beqiraj, e cila do të ndajë disa prej poezive të saja. Znj. Beqiraj, nëpërmes poezive ndan jetën e saj në Kosovë dhe Berlin, ku aktualisht jeton.
‘Manifesta 14 Prishtina’, do të zgjasë deri me 30 tetor, duke mbledhur në Kosovë mbi 100 pjesëmarrës të komunitetit artistik nga e gjithë bota.