‘Chopin Piano Fest’ po vazhdon të sjellë emra të mëdhenj të muzikës klasike në skenën prishtinase, që nga 9 maji e deri me 8 qershor, ku Amfiteatri i ri i Bibliotekës Qendrore Universitare po sjellë te publiku, vepra të lavdishme të muzikës klasike. Për të mësuar më shumë rreth këtij festivali, Radio KFOR-i bisedoi me njërën nga anëtaret e ekipit realizues të festivalit të muzikës klasike ‘Chopin Piano Fest’, znj. Besa Luzha: “Koncepti i festivalit mbetet i njëjtë, sepse ne në qendër e kemi pianon si instrument me të cilin performohen recitale me piano, njëherit veprat më të njohura të kompozitorëve më të njohur botëror. Sonte ka performuar pianisti, Stefan Vladar, një personalitet i jashtëzakonshëm i gjithë skenës muzikore botërore, i cili përveç si pianist, njihet edhe si dirigjent. Vladar ka qenë edhe më herët në Prishtinë, ai ka dirigjuar dhe ka luajtur për Filarmoninë e Kosovës. Kritikat për veprimtarinë e tij, nivelin e interpretimit, personalitetin dhe mënyrën se si interpreton Vladar, janë të shkëlqyeshme dhe të jashtëzakonshme.”
Ekipi i Radio KFOR-it ishte gjithashtu prezent mbrëmë (26.05.22), në ‘Chopin Piano Fest’, ku pianisti i njohur austriak, z. Stefan Vladar, mahniti publikun e Prishtinës, me performimin e veprave nga kompozitorët e njohur, si: Franz Joseph Haydn, Ludwig van Beethoven dhe Franz Peter Schubert.